Apokrif: Ungjilli sipas Maries
Fatkeqësisht ky Ungjill ka humbur në pjesën e tij më të madhe.
[...] materia do të shkatërrohet, apo jo?
Shpëtimtari tha: “Çdo natyrë, çdo formacion, çdo krijim ekziston brenda njëri tjetrit, e mes njëri tjetrit dhe do të shpërbëhen përsëri në rrënjët e tyre. Sepse materia është e tillë që shpërbëhet vetëm në rrënjët e natyrës së vet”.
Pjetri i tha atij: meqë na ke shpjeguar çdo gjë, na shpjego edhe këtë. Çfarë është mëkati i botës? Shpëtimtari u përgjigj: “S’ka në botë asnjë mëkat. Përkundrazi, jeni ju që e bëni mëkatin, kur kryeni veprime që janë të së njëjtës natyrë me kurorëshkeljen, besëshkeljen, që quhet “mëkat” (mohimi i së vërtetës)
Për këtë arsye e mira erdhi në mesin tuaj, në thelbin e çdo natyre për ta rikthyer atë në rrënjën e vet. E vazhdoi duke thënë:”Prandaj sëmureni e vdisni, sepse ju doni atë që është e gënjeshtërt, atë që ju gënjen. Ai që mund të kuptojë, le të kuptojë.
“Materia i dha shkas një pasioni që s’e kish shokun, që u parapri nga diçka që është kundër natyrës. Atëherë nga kjo erdhi një çrregullim në të gjithë trupin. “Për këtë arsye ju thashë: Bëni kurajë! Nëse jeni të pikëlluar, merrni zemër e bëni kurajë, në praninë e formave të shumëllojshme të natyrës”.
“Paqja qoftë me ju! Paçi paqen time! Rrini të vëmendshëm që askush mos t’ju gënjejë me fjalët:”Shikoni këtu” ose “Shikoni atje”. Biri i njeriut në të vërtetë është brenda jush. Ndiqeni! Kush e kërkon atë e gjen atë”.
“Shkoni, pra, e predikoni Ungjillin e Mbretërisë. Nuk kam shpallur ndonjë urdhëresë përveç atyre që ju kam caktuar. As edhe nuk ju kam vënë ndonjë ligj si një ligjvënës, që mos të jeni të shtrënguar prej tij.
“Si mund të shkojmë te paganët e t’u predikojmë atyre Ungjillin e Mbretërisë së Birit të njeriut? Nëse ata nuk e kursyen atë, si do të na kursejnë ne?“. Atëherë Maria u ngrit, i përshëndeti të gjithë, dhe u tha vëllezërve të saj: “Mos qani, mos jini të brengosur, e as të pavendosur. Hiri i tij do të jetë i gjithi me ju dhe do t’ju mbrojë. Le të lëvdojmë, më mirë, madhështinë e tij, meqenëse ai na ka përgatitur e na ka bërë njerëz“.
Pjetri i tha Maries: “Motër, ne e dimë se Shpëtimtari të donte më tepër se gratë e tjera. Na i transmeto fjalët e Tij që ty të kujtohen, ato që ti i di dhe ne jo; ato që ne as që i kemi dëgjuar fare.“. Maria u përgjigj, e tha: “Atë që për ju është e fshehtë, unë do t’ua them“.
“Unë, tha Maria, e pashë Zotin në një vegim, dhe i thashë: “Zot, sot të kam parë në një vegim“. Ai m’u përgjigj e tha: “E bekuara ti që nuk u luhate për pamjen time. Në të vërtetë, ku është mendja, atje është edhe thesari“. Unë i thashë: “Zot, tashti më thuaj: ai që sheh vegimin, e sheh nëpërmjet frymës apo nëpërmjet shpirtit?"
“Shpëtimtari u përgjigj e tha: ‘Ai nuk e sheh nëpërmjet frymës, e as nëpërmjet shpirtit, por mendja, që ndodhet midis të dyjave, e sheh vegimin dhe...‘“.
“...Dhe lakmia tha: “Unë nuk të kam parë kur ke zbritur, përkundrazi, tani të shikoj ndërsa ti ngjitesh lart. Pra, si kështu, ti më gënjen ndërkohë që më përket?”. Fryma u përgjigj: “Unë të kam parë, ndërsa ti as më ke parë e as më ke njohur”. Unë isha veshja jote, por ti nuk më ke njohur.” Tha këtë e iku plot gaz e hare.
“Shkoi pastaj te fuqia e tretë që quhet injorancë (padije). Kjo e pyeti frymën: “Ku shkon? Je kapur në ligësi, por je kapur ama. Mos të gjykosh!”. Fryma tha: “Përse më gjykon, kur unë nuk kam gjykuar? Mua më kanë kapur, ndonëse unë nuk kam kapur. Nuk më kanë njohur. Por unë kam parë që e plota është shpërndarë, qofshin gjëra dhe natyra tokësore qofshin qiellore”.
Mbasi kishte lënë pas vetes fuqinë e tretë, fryma u ngjit lart dhe pa fuqinë e katërt. Ajo kishte shtatë forma. E para është nata (perdja); e dyta është lakmia (dëshirimi, ankthi); e treta është injoranca (padija); e katërta është ndjenja e vdekjes; e pesta është pushteti i trupit (natyrës, racës njerëzore); e gjashta është mençuria prej teveqeli e trupit; e shtata është dija idhnake. Këto janë shtatë fuqitë e zemërimit.
“Ato e pyetën frymën: “Prej nga vjen, vrasëse e njerëzve? Për ku po hov, përshkuese largësish?”. Fryma u përgjigj e tha: “Ajo që më mban lidhur është vrarë, ajo që më rrethon është tërhequr mënjanë, lakmia ime është zhdukur, dhe padija ime ka vdekur. Në një botë jam zgjidhur prej një bote, në një tip prej një tipi sipëror, nga prangat e harrimit, që është kalimtar. Tani e tutje unë do të kap, në heshtje, pushimin e kohës, të çastit, të kohëzgjatjes (eone)”
Por Andrea e kundërshtoi dhe u tha vëllezërve: “Flisni çfarë mendoni përsa ajo tha. Unë, të paktën, nuk besoj se Shpëtimtari t’i ketë thënë këto. Në të vërtetë, këto doktrina, janë me siguri mësime të tjera”.
Lidhur me këto gjëra po njëlloj foli edhe Pjetri. Ai i pyeti ata rreth Shpëtimtarit: “T’i ketë folur vallë ai me të vërtetë, në fshehtësi e jo haptazi, një gruaje, pa e ditur ne këtë gjë? Duhet ne të gjithë të ndryshojmë mendje e të dëgjojmë atë? Ndoshta ai e ka vënë atë mbi ne?”.
Maria atëherë qau dhe i tha Pietrit: “Pjetër, vëllai im, çfarë beson ti pra? Beson që unë t’i kem shpikur këto në zëmrën time, ose që unë gënjej lidhur me Shpëtimtarin?
Levi (Mateu) e kundërshtoi Pjetrin duke thënë: Ti gjithmonë je i rrëmbyer, Pjetër! Tani unë po e shikoj se ti i hidhesh gruas siç bëjnë armiqtë. Nëse Shpëtimtari e ka bërë të denjë, cili je ti që e hedh poshtë atë? Nuk ka dyshim se, Shpëtimtari e ka njohur mirë atë. Pikërisht për këtë ai e donte më shumë se ne. Më mirë të na vijë turp, të veshim njeriun e përsosur, të ndërtohemi ashtu siç na ka urdhëruar ai, e të shpallim ungjillin pa përhapur as një urdhëresë tjetër, as një ligj tjetër, përveç atyre që na tha Shpëtimtari”.
Kur Levi i tha këto, ata u nisën për të shpallur për të predikuar.
No comments:
Post a Comment